12 qershor 2025 | Glauk Konjufca: Nëse Kurti s’i ka numrat, radha i vjen Bedri Hamzës

“Nëse zoti Kurti nuk e ka kapacitetin për me ndërtu numrat për Qeverinë, atëherë i vjen radha Bedri Hamzës apo sido që është në diskrecionin e Presidentes për të dhënë mundësinë e dytë. Pas kësaj ezaurohen të gjitha dhe kemi një rrugë të çarë drejt zgjedhjeve”.

Kështu kishte deklaruar më 12 qershor 2025, nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca dhe aktualisht deputet i kësaj partie, shkruan Demokracia.com.

Por, pavarësisht se Konjufca ishte i vetëdijshëm se kujt i takon tentimi i dytë për të formuar Qeverinë, ai ka pranuar të mandatohet për kryemnistër edhe pse e nuk e ka dëshmuar me asnjë fakt para Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, se është në gjendje të sigurojë 61 vota për të formuar Qeverinë e re.

Në seancën e së dielës, kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, dështoi të formojë Qeverinë pasi arriti të marrë vetëm 56 vota të deputetëve dhe ai propozoi Konjufcën si mandatar për formimin e Qeverisë së Kosovës, pa asnjë marrëveshje.

Kurti: Nuk shoh as mundësi teorike për koalicion me partitë e tjera

Pasi ka kaluar mandatin tek Konjufca, Kurti mbajti konferencë për media, ku është talluar publikisht, pasi ka thënë se votat e njejta që ai i kishte më 26 tetor i ka edhe Konjufca.

“Konjufca i ka që të gjitha votat që i kam pasur unë. Ju e dini që më datën 26 tetor në Kuvend unë i mora 56 vota. Ato i ka sigurt edhe Glauku, ndoshta ka edhe më shumë, por më pak nuk mund të merr. Dmth maksimumi im është minimum i Glaukut, prandaj le të përpiqemi maksimalisht. Unë nuk shoh as mundësi teorike për koalicion me partitë e tjera”, ka thënë Kurti më 4 nëntor pas mandatimit të Konjufcës.

Konjufca: Nuk do të kërkojmë marrëveshje koalicioni

Ashtu si Kurti, edhe Konjufca ka përjashtuar mundësinë e bashkëpunimit me ndonjë subjekt politik, duke mos treguar se si do t’i bëjë votat që ta formojë Qeverinë.

“Mendoj se ky nuk do të jetë një proces ku do të kërkojmë ndonjë marrëveshje koalicioni. Ideja është të krijohet një qeveri e re për të shmangur zgjedhjet e menjëhershme dhe të tentohet bashkëpunimi me partitë parlamentare në mënyrë që Kosovës t’i mundësohet të ketë buxhet për vitin 2026. Nëse kjo nuk ndodh, nuk do të ishte në interesin më të mirë të Kosovës, dhe pikërisht për këtë arsye Lëvizja Vetëvendosje më ka propozuar si kandidat. E kam pranuar,” tha Konjufca./Demokracia.com/

Lexo më shumë: https://demokracia.com/dinjiteti-i-shkermoqur-i-nje-filozofi-konjufca-i-nenshtrohet-keqperdorimit-nga-kurti-pranon-te-behet-kryeminister-3-mujor/