Duket se biznesi i diplomave false të shkollës së mesme sa shkonte e bëhej më i suksesshëm për Hamdi Nrecajn. Padyshim kjo deri në momentin kur të diplomuarit e tij do të provonin ta dëshmonin shkollimin e tij te shteti evropian për të cilin ishin nisur.
Nga historia e shqiptarit 40 vjeçar nga Durrësi, Kiksi ka gjetur edhe një tjetër viktimë të Nrecajt po në Durrës.
Ndryshe nga N.S. që kishte pritur gjashtë muaj për diplomën e tij, 37 vjeçarit, A.S. diploma i kishte dalë për vetëm tre ditë, raporton Kiks Kosova.
Për aq kohë të shkurtë sa iu bë diploma, aq edhe i zgjati. Ndonëse, çmimi s’ishte fare i lirë.
Plotë 1300 euro ia dha Hamdi Nrecajt, 38 vjeçari nga Durrësi, që të merrte diplomën e shkollës së mesme të lartë “Arkitekt Sinani” në Mitrovicë.
A.S, në kontaktin e parë që kishte pasur me Hamdi Nrecajn, thotë t’i ketë kërkuar informacione se si ta kryente shkollën e mesme në mënyrë te rregullt, mirëpo Nrecaj ia kishte ndalë fjalën në gjysmë, duke i thënë se ka rrugë më të lehta.
Sikur të mos mjaftonte diploma, A.S., tregon se kishte marrë edhe testin e maturës.
Shqiptari 38 vjeçar nga Durrësi e ka të ndaluar të hyjë në Zonën Schengen si pasojë e mashtrimit që tentoi ta bënte.