Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit Idriz Alija lidhur me akuzën për vrasje të rëndë në tentativë ndaj gruas me të cilën bashkëjetoi Sh.T. Ai u shpall fajtor dhe u dënua me dënim unik prej 11 vjet burgim.
Në këtë rast, Idriz Alija akuzohej për tentim vrasje të rëndë ndaj Sh.T., me të cilën kishte bashkëjetuar. Po ashtu, akuzohet për armëmbajtje pa leje dhe mospërfillje të gjykatës, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Aktgjykimi u shpall të martën nga kryetarja e trupit gjykues, Medie Bytyqi dhe anëtarët Gëzim Ademi dhe Alltën Murseli.
Sipas vendimit, për vrasje të rëndë në tentativë, Alija u dënua me 10 vjet burgim, për “Armëmbajtje pa leje” u dënua me 1 vit burgim, kurse për “Mosërfillje të gjykatës” u dënua me 6 muaj burgim. Ndaj tij, Gjykata shpalli dënim unik prej 11 vjet burgim.
Në dënimin me burgim, të akuzuarit i llogaritet koha e kaluar në paraburgim. Ai obligohet të paguajë shpenzimet e procedurës gjyqësore dhe atë për paushallin gjyqësor 150 euro dhe 50 euro të tjera për Fondin për Kompensimin e Viktimave të Krimit.
Urdhërohet konfisikimi i përhershëm i pistoletës me një karikator dhe tre fishekë. Po ashtu, u urdhërua Policia që në bashkëpunim me Prokurorinë pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit të bëjë shkatërrimin e sendeve të konfiskuara.
E dëmtuara u udhëzua në kontest të rregullt juridiko-civil.
Të akuzuarit Alija, me aktvendim të veçantë i vazhdohet paraburgimi.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditësh.










