107 ditë më pas, Interi feston rikthimin e Dumfries në fushë. “San Siro” e duartroket

A ka një lajm të mirë për Interin, pas eliminimit nga Bodo/Glimt në “play off”-et e Champions League? Përgjigjja është “po” dhe quhet Denzel Dumfries. Në minutën e 81-të të ndeshjes së të martës, holandezi u rikthye në fushë pas 107 ditësh mungesë, duke marrë ovacionin e “San Siros”, që për një moment harroi edhe rezultatin e takimit.

Më 9 nëntor, anhësori i djathtë u dëmtua në kyçin e këmbës së majtë dhe, ndonëse fillimisht dukej një problem i lehtë, iu desh të operohej e të kalonte rehabilitim të gjatë. Megjithatë, ai arriti të rikuperohet dhe të rikthehet në kohë për fazën vendimtare të sezonit. Tani Cristian Chivu ka një armë më shumë për të synuar titullin e Serie A dhe Kupën e Italisë.

Gjatë mungesës së tij u diskutua nëse Luis Henrique ishte në nivelin e titullarit. Braziliani ka bërë përparim, por vendi i 25-të në renditjen e “Topit të Artë” nuk arrihet rastësisht. Energjia, fiziku dhe forca e Dumfries pritet të jenë vendimtare, nëse rifiton shpejt formën ideale.

The post 107 ditë më pas, Interi feston rikthimin e Dumfries në fushë. “San Siro” e duartroket appeared first on Telesport.