Ndonëse në vitin 2023 kur Naim Murseli ishte arrestuar nën dyshimin për vrasjen e ish-bashkëshortes së vet, Behgjet Pacolli përpiqej t’i kufizonte raportet me ish-këshilltarin e vet brenda kornizave formale, çështjet e zbardhura në gjykatë tregojnë të kundërtën.
Raportet mes Behgjet Pacolli dhe Naim Murselit, të akuzuar për vrasjen e bashkëshortes së tij të ndjerë Liridona Ademajt, po shfaqen më të ndërlikuara sesa një marrëdhënie e zakonshme pune.
Dokumentet e prezantuara në gjykatë kanë zbuluar se Murseli, dikur këshilltar i ish-kryediplomatit të Kosovës, i kishte marrë 100 mijë euro borxh nga ish-shefi i tij disa vjet më parë.
Marrëveshja ishte formalizuar përmes një kontrate e cila nuk përmbante norma interesi, tregon dokumenti të cilin e paraqiti prokurorja Jerlina Perlinçeviq në seancën gjyqësore të zhvilluar të mërkurën.
Naim Murseli përballet në gjykatë me akuza të rënda për porositjen e vrasjes së bashkëshortes së tij Liridona Ademajt më 23 nëntor të vitit 2023, një prej ngjarjeve më makabre dhe të rënda të Kosovës paslufte. Bashkë me Murselin, të akuzuar për përfshirje në vrasjen e Ademajt janë dhe Granit Plava e Kushtrim Kokalla.
Ndonëse në vitin 2023 kur Naim Murseli ishte arrestuar nën dyshimin për vrasjen e ish-bashkëshortes së vet, Behgjet Pacolli përpiqej t’i kufizonte raportet me ish-këshilltarin e vet brenda kornizave formale, çështjet e zbardhura në gjykatë tregojnë të kundërtën.
Ato dëshmojnë marrëdhënien e afërt mes tyre, siç tregohet në disa fotografive të publikuara në internet në të cilat ish-kryetari i Aleancës për Kosovën e Re (AKR) shfaqet në shoqërinë e Murselit në pushime në jahta, në aeroplanin privat të biznesmenit dhe në rrethe të tjera private.

Borxhi i dokumentuar prej 100 mijë eurove pasqyron po ashtu një raport privat mes tyre.
Por ajo që e bën më të ndërlikuar raportin Pacolli-Murseli është mënyra se si dy palët e kanë përshkruar fatin e këtij borxhi.
I ballafaquar me kontratën në seancë gjyqësore, Murseli e ka pranuar ekzistencën e huasë, por ka deklaruar se borxhi është shlyer — jo përmes pagesës financiare, por në “mënyra tjera”.
“Po, kjo është kontratë borxhi. E vërtetë në mes meje dhe zotit Pacolli shuma 100 mijë euro dhe thotë këtu ka normë interesi vjetor prej 0%, dhe nuk tregon afatin e shlyerjes së borxhit. Ka ekzistu por është shlyer në mënyra tjera”, ka pohuar Murseli në gjyq të mërkurën.
Në anën tjetër, Pacolli ka dhënë një version krejt të ndryshëm.
I kontaktuar nga portali Betimi për Drejtësi, ish-zëvendëskryeministri ka deklaruar publikisht se borxhi nuk është shlyer dhe se ai asnjëherë nuk ia ka kërkuar kthimin e mjeteve Murselit.
“I kam ndihmu gjithmonë atij. S’e kam kërku atë borxh mbrapa hiç. Po më duket ka mbet një borxh prej kur e ka ble një lokal përpara atje në Suedi. Sa unë e di komplet këto janë praktikisht gjëra që janë publike, të njohura”, ka thënë Pacolli.
Në rrjedhën e përmendjes së emrit të Behgjet Pacollit në gjyqin për vrasjen e Liridona Ademajt, në seancën e të mërkurës ka ngjarë një tjetër zhvillim ku është përfshirë biznesmeni multi-milioner nga Hajvalia.
Para se të shfaqjes dokumenti për borxhin 100,000.00 eurosh, i akuzuari Murseli i ka kërkuar gjykatës që t’i lejojë një telefonatë me ish-shefin e tij, Behgjet Pacollin.
Kërkesa është parashtruar ditë më parë, por është zbuluar nga gjyqtarja e rastit të mërkurën.
Ajo ia ka hedhur poshtë Murselit kërkesën për telefonatë me Pacollin, me arsyetimin se ai nuk hyn në kategorinë e personave me të cilët lejohet komunikimi i të akuzuarit. /Paparaci.com










