Endrit Nika, i cili po akuzohet për vrasjen e shtetases argjentinase (të dashurës së tij) në Fushë-Kosovë më 2023, është deklaruar i pafajshëm të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Fillimisht, prokurori i rastit Armend Hamiti e lexoi aktakuzën, për të cilën i akuzuari Nika u deklarua i pafajshëm, raporton “Betimi për Drejtësi”
“100% i pafajshëm”, u shpreh i akuzuari Nika.
Seanca vazhdoi me dhënien e fjalës hyrëse të palëve në procedurë, ku prokurori Hamiti deklaroi se në bazë të provave të propozuara si në aktakuzë, dëgjimit të dëshmitarëve dhe provave materiale, do të vërtetohet përtej dyshimit të bazuar mirë se akuzuari ka kryer veprën penale e cila i vihet në barrë.
Kurse, përfaqësuesi i palës së dëmtuar- avokati Betim Shala deklaroi se e mbështet fjalën hyrëse të prokurorit, duke theksuar se edhe familja e të ndjerës i bashkohet kësaj ndjekje penale. Tha se gjatë këtij procesi gjyqësor do të parashtrojnë kërkesë pasurore-juridike.
Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Nika, avokati Drilon Imeri, deklaroi se gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor do të vertetohet pafajësia e të mbrojturit të tij, duke u shprehur se mbrojtja vlerëson se i akuzuari do të lirohet nga akuza si i pafajshëm.
Në këtë seancë, në cilësinë e dëshmitares u ndëgjua nëna e të ndjerës M.K-U, M.M-M., e cila rrëfeu për lidhjen që kishte bija e saj me tani të akuzuarin Nika. Ajo përshkroi gjithë rrjedhën e ngjarjes vetëm nga komunikimet që kishte përmes telefonit me të bijën.
Dëshmitarja deklaroi se vajza e saj ishte njohur në Barcelonë me të akuzuarin Nika, ndërsa në Kosovë kishe ardhur pasi që ishte ftuar në dasmën e vëllait të të akuzuarit.
“Më tregoi se është ftuar në dasmën e vëllait të Endritit në Kosovë, më tregoi se prindërit e Endritit tashmë kanë shkuar në Kosovë dhe po organizojnë dasmën”, tha M.M-M.
Ndërsa, e pyetur se si kishte kuptuar për ngjarjen, dëshmitarja deklaroi se atë e kishte kontaktuar shoqja e tani të ndjerës.
“Shoqja e saj ka komunikuar me mua në Argjentinë, ka qenë 2 gusht, ora 17:30 pasdite dhe me thotë diçka i ka ndodhë K.”, tha ndër të tjera dëshmitarja.
Sipas planifikimit të kësaj gjykate, në radhë për dhënien e dëshmisë ishte edhe një dëshmitare tjetër, mirëpo prokurori Hamiti kërkoi ndërprerjen e seancës për arsye shendetësore.
Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Gazmend Bahtiri ndërpreu seancën e sotme dhe të radhës e caktoi për një datë tjetër.
Sipas aktakuzës së ngritur më 11 shkurt 2025, Prokuroria Themelore në Prishtinë, Endrit Nika akuzohet se më 1 gusht 2023 në një hotel në Fushë-Kosovë, pas një mosmarrëveshje paraprake me të dashurën e tij- tani të ndjerën M.K-U., të cilën paraprakisht e godet në vazhdimësi dhe tenton ta shkelë me veturë tek parkingu jashtë hotelit, dhe pasi që hyjnë në hotel- në dhomën ku ishin duke qëndruar i pandehuri Nika me dashje që ta privojë nga jeta tani të ndjerën M.K-U ka vazhduar përleshjen dhe goditjet ndaj të dëmtuarës, duke e dërguar në qoshe të dhomës nga ku nuk ka pasur mundësi të largohet dhe nga goditjet dhe shtyrjet që i ka bërë tani të ndjerës M. K-U., e ka nxjerrë kornizën e dritares duke e hedhur të ndjerën nga dritarja e dhomës së hotelit nga kati i gjashtë. Me ç’rast, tani e ndjera si pasojë e lëndimeve edhe përkundër trajtimit mjekësor ka ndërruar jetë në QKUK.
Me këtë, i akuzuari Endrit Nika akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, par.1, pika 1.3 të Kodit Penal.