Qeveria në detyrë e Albin Kurtit është përfshirë në një valë të re kritikash nga organizatat e shoqërisë civile, pas ndarjes së nga 100 euro për studentët e Kosovës, vetëm tri ditë para mbajtjes së balotazhit të zgjedhjeve lokale, shkruan Demokracia.com.
Vendimi për këtë pagesë ishte marrë më 7 tetor, pesë ditë para raundit të parë të zgjedhjeve lokale, si pjesë e të ashtuquajturës “Pako për Ringjallje Ekonomike”. Vlera totale e planifikuar për këtë masë arrin në rreth 6 milionë euro.
Sot, tri ditë para raundit të dytë, studentët pranuan në llogaritë e tyre nga 100 euro, bashkë me një mesazh nga vetë kryeministri në detyrë, Albin Kurti. “Të dashur studentë, më lejoni t’ju uroj vitin e ri akademik me lajmin e mirë se ju jeni kualifikuar si përfitues të shtesës së njëhershme prej 100 euro. Me qeverinë tonë, studentët gjithmonë do të kenë mbështetjen e shtetit,” – thuhej në mesazhin që pranuan studentët.
Por përfaqësues të shoqërisë civile e kanë cilësuar këtë veprim si një formë të hapur të keqpërdorimit të parasë publike për përfitime elektorale.
Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, reagoi ashpër ndaj këtij vendimi, duke thënë se Kurti si deputet e jo si kryeministër legjitim, po e përdor buxhetin e shtetit për përfitime politike.
“Deputeti Kurti nuk e ka problem me shkel ligjin në vlerë prej 26 milionë euro, ku hyn edhe 100 euro për secilin student, në kohë fushate parazgjedhore. Deputeti Kurti kujdeset t’iu dërgojë mesazh privat secilit student duke ia kujtuar se nga sot merr dhuratë 100 euro nga qeveria në detyrë”, ka deklaruar Miftaraj.
Ai shtoi se ky është “abuzim i hapur me pushtetin dhe autoritetin zyrtar”, duke e cilësuar Lëvizjen Vetëvendosje si “kampion të korrupsionit dhe keqpërdorimit të pushtetit”.
“Prokuroria Speciale do duhej të caktonte një Task Force për ta trajtuar këtë korrupsion endemik qeveritar,” – përfundoi ai.
Edhe Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) e cilësoi ndarjen e 100 eurove si një vazhdimësi të praktikave të keqpërdorimit elektoral të parasë publike.
“Ndarja e 100 eurove për studentë pesë ditë para zgjedhjeve lokale, dhe ekzekutimi i këtyre mjeteve sot, tri ditë para balotazhit – është vijimësi e skemës së keqpërdorimit të parasë publike si instrument elektoral”, tha Cakolli.
Ai shtoi se “viti akademik ka filluar më 15 shtator, gati dy muaj më parë, dhe nëse qëllimi do të ishte ndihma për studentët, ajo do të ishte dhënë atëherë”.
“Ajo që e bën situatën edhe më problematike është normalizimi i shkeljeve të ligjit nën arsyetimin se ‘është në të mirë të qytetarëve’. Kur shkeljet kalojnë pa reagim, ato shndërrohen në praktikë,” – përfundoi ai.
Drejtoresha e Grupit KOHA, Flaka Surroi, kujtoi se praktika të tilla nuk janë të reja në politikën kosovare.
“Kjo puna me këto shtesa e rritje para zgjedhjeve – asgjë e re. Nuk ka lënë asnjë qeveri pa e bërë dhe asnjë opozitë pa e quajtur blerje votash”, tha Surroi.
“Popullizëm atëherë, popullizëm këtë herë. Pushteti i ëmbël,” – shtoi ajo me ironi.
Ndërkohë, analisti Shenoll Muharremi vlerësoi se ndarja e 100 eurove është shembulli më i qartë i “korrupsionit elektoral të pastër”.
“Mos të harrojmë që ato 100 euro të dhëna sot kanë vlerën reale të vetëm rreth 65 euro nga viti 2021. Sot po tentohet të blihet vota e studentit me paranë publike të qytetarëve, tri ditë para balotazhit”, tha ai.
Sipas tij, ky veprim “nuk përmirëson as arsimin, as jetën studentore”, por përkundrazi “varfëron vendin dhe dëmton ekonominë”.
“Në vend që të investohet në cilësi të arsimit, kushte dhe mundësi për studentët, qeveria po ‘investon’ në mashtrim dhe manipulim politik. Sot studenti nuk po ndihmohet – po blihet, po mashtrohet dhe Kosova po varfërohet”, theksoi Muharremi.
Në fund, pavarësisht që Qeveria në detyrë e prezanton këtë vendim si “mbështetje për studentët”, zërat kritikë e shohin atë si një formë të blerjes së votave me fonde publike, një praktikë që, sipas tyre, po e thellon degradimin e standardeve demokratike në vend. /Demokracia.com/











