“100% dikush do të hyjë në burg”: Rama akuzon Muratin për paralizim të kryeqytetit

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka artikuluar akuza të ashpra deputetit që ushtrone dhe pozitën e ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, duke e cilësuar atë si përgjegjësin kryesor për bllokim të të hyrave vetanake të kryeqytetit, në vlerë prej rreth 35 milionë eurosh. Në emisionin “Debat Plus”, Rama tha se kjo sjellje përbën shkelje të pasët ligjore dhe po e paralizon ofrimin e shërbimeve për qytetarët e kryeqytetit.

“Është pikërisht Hekuran Murati, të cilët i bllokojnë të hyrat vetanake të kryeqytetit, që janë diku rreth 35 milionë. Pra, këto vazhdojnë t’i bllokojnë përkundër faktit që po veprojnë jashtëligjshëm. Këto, në bazë të ligjit, i takojnë kryeqytetit. Duhet me u transferu në xhirollogaritë e kryeqytetit. Duhet me iu leju kryeqytetit që t’i përdorë këto fonde për t’i kryer shërbimet ndaj qytetarëve të kryeqytetit, pra për t’i paguar operatorët publikë e privatë të cilët veprojnë për të mirën e qytetarëve.”– tha Rama ne “Debat Plus”

Sipas Ramës, kjo situatë nuk është një rast i izoluar, por një veprim i përsëritur dhe i qëllimshëm politik e burokratik, që po zgjat prej muajsh.

Ai kujtoi edhe raste të tjera të bllokadave institucionale, përfshirë pengimin e investimeve kapitale dhe fondeve të tjera jetike për funksionimin e kryeqytetit.

“Edhe këtu i teket ministrit në detyrë, atyre zyrtarëve që normal që s’kanë qare pa e dëgju atë për t’i bllokuar fondet e kryeqytit. Është një lojë që zgjatë më shumë se 9 muaj. Fillimisht, derisa i kishim proceset zgjedhore, unë mendova që ndoshta do të ndalen, sepse i kanë përdorë të gjitha këto bllokada për me u mundu me e qitë keq kryeqytetin – sepse i kanë blloku edhe fondet tjera. Përveç të hyrave vetanake, edhe fondet për investime kapitale dhe shumë fonde të tjera që na kanë pamundësu me i kry punët në kryqytet.”

Rama shtoi se pavarësisht bllokadave, qytetarët e Prishtinës ia kanë besuar sërish drejtimin e kryqytetit, gjë që sipas tij e rrit edhe më shumë përgjegjësinë e tij morale dhe institucionale për të luftuar, siç i quan, vendimet e padrejta të Muratit.

“Ja që qytetarët ma kanë besu edhe një mandat, ma kanë dhënë edhe një përgjegjësi të madhe por edhe një nder të madh, sepse e kam jo vetëm profesion por edhe pasion dhe mision që t’i ndihmoj këtij qyteti, popullit tim, qytetarëve të kryqytetit. Ta transformojmë kryqytetin. Por ja këta me vendime të mbrapshta e bllokojnë një qytet të tërë dhe penalizojnë një qytet të tërë. Ministrit Murati s’i intereson. Pa asnjë emocion sillet ndaj protestuesve.”

Rama bëri të ditur se për këtë çështje është ndërmarrë edhe hap juridik, përmes paraqitjes së kallëzimit penal ndaj Muratit dhe disa zyrtarëve të tjerë të Ministrisë së Financave.

“Kemi bërë kallëzim penal ndaj Hekuran Muratit dhe tre zyrtarëve të thesarit dhe zyrtarëve të tjerë në ministri të cilët janë përgjegjës dhe vazhdojnë të jenë në kundërshtim me ligjin. 100 për qind dikush prej tyre ka me hy në burg. Ministri në detyrë Hekuran Murati mundet teknikisht me i ikë burgut, sepse thotë “unë jam në detyrë” – këta të tretë e kanë përgjegjësinë me i nënshkru fondet për të kaluar dhe kështu edhe i përdor, edhe i shtin në burg, edhe punon kundër qytetarëve të kryeqytetit.”