10 muaj nga arratisja e Enver Sekiraqës, institucionet pa ndonjë rezultat

Institucionet e Kosovës ende nuk kanë dhënë asnjë informacion për arratisjen e Enver Sekiraqës, i cili akuzohet për nxitje në vrasjen e ish-policit Triumf Riza. Edhe pas 10 muajsh, ky rast vazhdon të mbetet i paqartë, përfshirë edhe mënyrën se si iu mundësua Sekiraqës arratisja.

 

Për plotë 10 muaj, Enver Sekiraqa vazhdon të ndodhet në arrati, i cili ishte i dënuar me 25 vjet burgim nga Gjykata Themelore e Prishtinës për nxitje në vrasjen e ish-policit Triumf Riza.

Për arratisjen e Sekiraqës nga institucionet është thënë se ende nuk kanë arritur të gjejnë gjurmët e tij dhe të përcaktojnë vendndodhjen ku po fshihet.

Por, shumë pyetje lidhur me këtë rast nuk morën përgjigje gjatë 10 muajve, duke nisur nga mënyra se si iu mundësua Sekiraqës arratisja.

Kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti, atëherë edhe kur Sekiraqa u arratis, fajin e hodhi tek sistemi gjyqësor.

“Arratisja e personit përgjegjës për vrasjen e tij, Enver Sekiraqa, është dështim i sistemit tonë gjyqësor, i cili vazhdon të arratiset nga drejtësia. Edhe më e rëndë bëhet situata kur këso raste nuk bëjnë përjashtim dhe nuk ngjajnë si rastësi. Qeveria angazhohet çdo ditë për të përfshirë nga të gjitha komunitetet në jetën institucionale, zhvillimin ekonomik, drejtësinë sociale dhe të Kosovës”, kishte thënë Kurti.

Ngjashëm, ishte shprehur edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, duke i akuzuar gjyqtarët për “joprofesionalizëm”, shruan albanianpost.com

“Kjo qasje joprofesionale e gjyqtarëve në shumë raste po rezulton me rritje të krimit. Herë po manifestohet me vrasje, e herë me arratisje të tërësishme. Dhe ky nuk është një gabim i izoluar, por veprime të shpeshta që po shndërrohen në mendësi të gabuar të gjykimit, të cilat po përkthehen në stimulim të kriminelëve”, kishte deklaruar Haxhiu në maj të vitit 2024, atëherë kur Sekiraqa u arratis.

Shefqet Riza, babai i Triumfit, kishte thënë për Albanian Post se Sekiraqa “po fshihet në Serbi ose Rusi,” pasi sipas tij, në Beograd kishte qëndruar edhe më herët.

“Në Serbi e ka pasur edhe më herët vendin kur e kanë vrarë Triumfin. Atëherë ka qenë atje, dhe tani ose është në Serbi ose në Rusi. Nuk ka ku të fshihet në tjetër shtet,” kishte deklaruar ai.

Rasti “Sekiraqa”

Gjykata Themelore e Prishtinës, më 3 maj e kishte dënuar me 25 vjet burgim Enver Sekiraqën për nxitje në vrasjen e policit Triumf Riza.

Sekiraqës i ishte ndërprerë edhe masa e arrestit shtëpiak.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 16 shtator 2019, e kishte shpallur fajtor Enver Sekiraqën për nxitje në vrasjen e ish-policit Triumf Riza dhe i kishte shqiptuar dënim në kohëzgjatje prej 30 vjetësh.

Megjithatë, Gjykata e Apelit më 6 mars 2020, kishte vendosur të aprovojë ankesën e mbrojtjes së Sekiraqës duke e kthyer rastin për të dytën herë në rigjykim, pasi sipas Apelit aktgjykimi i shkallës së parë ishte marrë me shkelje të dispozitave të procedurës penale.

Në prill të vitit 2014, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj Enver Sekiraqës për tri vepra penale, për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës, “detyrim” dhe “dhunim”, ku për këtë të fundit, gjykata e shkallës së parë e kishte shpallur të pafajshëm.

Polici Triumf Riza, u vra me armë zjarri më 30 gusht 2007 me të dalë nga një lokal në lagjen “Dardania” në Prishtinë.

Për vrasjen e tij ishte dënuar Arben Berisha, i cili ka pranuar se ka shtënë në drejtim të Rizës.

Këtij incidenti, siç thonë nga Prokuroria, i kanë paraprirë një seri incidentesh, ku më i voni ishte incidenti në “Sëiss Casino” në dhjetor 2006.

Në incidentin në “Sëiss Casino”, ishin të përfshirë Enver Sekiraqa dhe disa shoqërues të tij në njërën anë, dhe i ndjeri Triumf Riza e Arben Selmani në anën tjetër.

Në këtë incident i plagosur rëndë kishte mbetur Arben Selmani