“10 hapat deri në konstituim”| Çfarë do të ndodh në seancën e 15 prillit në Kuvend?

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka vendosur që seanca për konstituimin e Kuvendit, gjatë së cilës do të zgjidhet edhe kryetari i Kuvendit, të mbahet më 15 prill, që do të thotë pas dy javësh nga sot. Pas këtij vendimi, Eugen Cakolli nga Demokracia në Veprim ka treguar 10 hapat që do të ndiqen deri në konstituimin e Kuvendit.

 

Presidentja Osmani sot e ka caktuar datën për mbajtjen e seancës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Por çfarë pritet të ndodhë në seancën e 15 prillit?

Seanca konstituive përgatitet nga kryetari i legjislaturës së mëparshme, i cili pesë ditë para mbajtjes së seancës duhet të thërrasë në mbledhje kryetarët e partive politike të përfaqësuara në Kuvend, për të përgatitur një rend dite.

Rendi i ditës duhet të përfshijë formimin e një komisioni të përkohshëm që bën verifikimin e kuorumit dhe mandateve, betimin e deputetëve të rinj, zgjedhjen e kryetarit të kuvendit dhe nënkryetarëve, votimin e raportit të komisionit të lartpërmendur dhe përcaktimin e vendeve të deputetëve në sallë, sipas fuqisë politike.

Seanca konstituive kryesohet nga deputeti më i vjetër në moshë, i ndihmuar nga deputeti më i ri në moshë.

Ligjet nuk parashohin që gjatë seancës nuk mund të ketë debat.

Në këtë seancë deputetët bëjnë betimin – ata që mungojnë mund ta bëjnë në seancën pasuese – dhe partia e parë, në këtë rast Lëvizja Vetëvendosje, propozon kandidatin për kryetar të Kuvendit.

Nënkryetarët, ndërkaq, propozohen nga një nga partitë më të mëdha dhe nga komunitetet joshumicë dhe komuniteti serb.

Seanca konstituive, sipas Rregullores së Kuvendit, përfundon me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve.

“Ndërprerjet gjatë seancës konstituive nuk mund të jenë më të gjata se 48 orë”, thuhet në nenin 12, pika 5 e Rregullores së Kuvendit.

Sipas rezultateve, në përbërjen e re parlamentare Lëvizja Vetëvendosje do të ketë 48 deputetë, Partia Demokratike e Kosovës 24, Lidhja Demokratike e Kosovës 20, Lista Serbe nëntë dhe koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate tetë vende.

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës i ka shpjeguar 10 hapat deri në konstituimin e Kuvendit. Ai ka sqaruar se përgatitjet për këtë ditë i takojnë Kryetarit të legjislaturës së kaluar, Glauk Konjufcës, i cili së paku pesë ditë para seancës duhet të thërrasë një takim me krerët e partive që kanë fituar ulëse në Kuvend, për të diskutuar rendin e ditës dhe ndarjen e vendeve në sallë.

Cilët janë 10 hapat deri në konstituimin e Kuvendit, në seancën e 15 prillit?

1. Seanca konstituive, e thirrur nga Presidentja Osmani, nuk është si seancat e zakonshme. Nuk ka fjalime, as nuk ka debat. Është një seancë procedurale, por vendimtare drejt formimit të institucioneve që burojnë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.

2. Përgatitjet për këtë ditë i takojnë Kryetarit të legjislaturës së kaluar, Glauk Konjufcës, i cili së paku pesë ditë para seancës duhet të thërrasë një takim me krerët e partive që kanë fituar ulëse në Kuvend, për të diskutuar rendin e ditës dhe ndarjen e vendeve në sallë. Nëse nuk e bën, seanca mbahet gjithsesi në datën që ka caktuar Presidentja.

3. Por seancën nuk do t’a kryesojë Glauk Konjufca. Ajo do të drejtohet përkohësisht nga deputeti më i vjetër në moshë, i ndihmuar nga më i riu.

4. Fillimisht, çdo parti cakton një anëtar në Komisionin e Përkohshëm për Verifikimin e Kuorumit dhe Mandateve. Ky komision kontrollon nëse në sallë ka kuorum dhe nëse të gjithë deputetët kanë mandate të vlefshme. Komisioni do të udhëhiqet nga një deputet i Lëvizjes Vetëvendosje.

5. Pas prezantimit të raportit të komisionit, ai votohet nga Kuvendi. Vetëm pas kësaj vazhdohet me betimin.

6. Deputetët bëjnë betimin solemn dhe marrin zyrtarisht mandatin e tyre si përfaqësues të zgjedhur.

7. Më pas votohet Kryetari i ri i Kuvendit, që duhet propozohet nga partia më e madhe parlamentare. Zgjedhja bëhet me shumicën e votave të të gjithë deputetëve. Nëse zgjidhet, ai menjëherë merr drejtimin e seancës.

8. Tutje, vijohet me zgjedhjen e pesë nënkryetarëve: tre propozohen nga tri partitë më të mëdha (LVV, PDK dhe LDK), një nga deputetët e komunitetit serb, dhe një tjetër nga deputetët e komuniteteve të tjera jo-shumicë. Kandidati i subjektit më të madh duhet të jetë i gjinisë tjetër nga Kryetari.

9. Seanca konsiderohet e përmbyllur – e rrjedhimisht Kuvendi i konstituar – vetëm pasi zgjidhen Kryetari dhe të gjithë nënkryetarët. E megjithatë, nuk ka asnjë afat të përcaktuae kohor për zgjedhjen e tyre, duke lënë hapësirë për zvarritje të procesit.

10. Por nëse seanca ndërpritet për çfarëdo arsyeje, pauza nuk mund të zgjasë më shumë se 48 orë.

Shpërndarja e ulëseve në Kuvend nënkupton se asnjë parti nuk mund të formojë e vetme Qeverinë, që është hapi pasues pas mbajtjes së seancës konstituive.

Sa i përket rezultatit, në një zhvillim të ndarë, LVV-ja veçse i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese, duke kontestuar vendimin e Gjykatës Supreme për votat me postë, që argumenton se LDK-ja i ka manipuluar.

Partia e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i ka kërkuar Kushtetueses një masë të përkohshme për vendimin e Gjykatës Supreme sa i përket këtyre votave.

Nëse Kushtetuese do të marrë një vendim për këtë çështje, atëherë do të mund të ketë një ndalim të procesit të zgjedhjes së Qeverisë. Por, derisa Kushtetuesja nuk adreson çështjen e dërguar nga LVV-ja, presidentja e vendit ka disa afate ligjore që duhet t’i respektojë.

Sipas ligjeve, Osmani duhet të mandatojë për krijimin e Qeverisë së re partinë e parë në zgjedhje, në këtë rast LVV-në.

Në Kushtetutë thuhet se mandatari më pas ka 15 ditë kohë që të paraqesë përbërjen e re të ekzekutivit para Kuvendit dhe të kërkojë 61 vota që ajo të votohet.

Në rast se partia e parë nuk arrin të marrë mbështetjen e të paktën 61 deputetëve, atëherë presidentja Osmani ka afat që brenda dhjetë ditësh të emërojë një mandatar tjetër.

Ajo fton partitë në konsultime dhe është në diskrecionin e saj se kë e mandaton për të formuar ekzekutivin.

Mandatari i dytë, po ashtu i ka 15 ditë kohë që t’i paraqesë Kuvendit përbërjen e kabinetit qeveritar.

Por, nëse Qeveria nuk formohet as pas tentimit të dytë, atëherë presidentja Osmani, sipas nenit 95 të Kushtetutës, duhet të shpallë zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë.

Zgjedhjet e 9 shkurtit ishin zgjedhjet e para të rregullta parlamentare të mbajtura në Kosovë që nga shpallja e pavarësisë.

Më 15 prill mbahet seanca konstituive e Kuvendit