Tash e pesë vite Albin Kurti dhe partia e tij janë duke i shfrytëzuar në maksimum privilegjet e pushtetit. Këtë vit, kryeministri në detyrë Albin Kurti nuk hezitoi që për zgjedhjet lokale ta “blejë” votën e studentëve për 100 euro, por siç duket traditen do ta vazhdojnë edhe për zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Tre ditë para raundit të dytë të zgjedhjeve lokale, Kurti ua mbushi xhirollogaritë studentëve me nga 100 euro.
Këto të holla i dolën grupit të parë me 50 mijë studentë të cilët kishin aplikuar të parët dhe i kishin plotësuar kriteret, por në pritje janë edhe grupi i dytë i kësaj kategorie të cilët janë ankuar që ende nuk iu janë ekzekutuar.
“Prit derisa afrohen zgjedhjet, se tash ska interes nihere”, ironizoi një student me pyetjen e një studenti tjetër që pyeti se ku mundet të bëjë ankesë pasi nuk i kanë dal paratë.
Ndërkohë, kur me 6 tetor kryeministri në detyrë, Albin Kurti pati deklaruar për procesimin e 100 eurove për grupin e parë, pati thënë se pjesa e mbetur e aplikuesve do të shqyrtohen gjatë ditëve në vijim.
“Pjesa e mbetur e aplikuesve që plotësojnë kriteret për përfitim do të shqyrtohen dhe procesohen me grupin e dytë në ditët në vijim. Me qeverinë tonë, studentët çdoherë do të kenë mbështetjen e shtetit”, kishte deklaruar Kurti.
Por, janë bërë dy muaj që nga ky deklarim dhe ende nuk ka ndonjë njoftim kur do të procesohen pagesat për pjesen e dytë të studentëve, apo Kurti dhe ministri në detyrë i Finanacave, Hekuran Murati kanë planifikuar t’i ruajnë edhe pak ditë që “t’i blejnë” edhe votat në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Ndarja e 100 eurove për studentët pak ditë para zgjedhjeve kishte ngjallur reagime dhe kritika ndaj Qeverisë Kurti.
Vlora Çitaku, nënkryetare e Partisë Demokratikë të Kosovës, e kishte quajtur manipulim e panik ndarjen e shtesave prej 100 euro për secilin student të Kosovës, shkruan Periskopi.
“Ja si duket abuzimi me taksat e qytetarëve të Republikës së Kosovës për nevoja elektorale të Kryetarit të LVV. Vetëm tre ditë para zgjedhjeve, me paratë e qytetarëve të varfëruar, të cilëve ua ka shtrenjtuar rrymën për t’i shërbyer mafias energjetike, ai shpërndan nga 100 euro për studentët. Ky nuk është as kujdes social, as mbështetje për rininë. Është mashtrim. Është manipulim. Është papërgjegjësi. Dhe mbi të gjitha, është panik”, kishte shkruar ajo në Facebook.
Ndërsa, Besian Mustafa i LDK-së pati thënë se pushteti është në panik dhe 3 ditë para zgjedhjeve “po shpresojnë me i mashtru studentët”.
“Panik miq, pushteti full panik! 3 ditë para balotazhit po shpresojnë me mashtru’ ndonjë student. Dështim total.
Dobët Albin, shumë dobët”, kishte shkruar Mustafa.
Drejtori ekzekutiv i KDI-së, Ismet Kryeziu, kishte akuzuar ekzekutivin për abuzim me fondet publike në prag të zgjedhjeve.
“Abuzimi dhe keqshfrytëzimi i taksave publike dhe postës zyrtare të Zyrës së Kryeministrit për dërgimin e mesazheve të tilla vetëm tre ditë para ditës së zgjedhjeve, është i ndaluar kategorikisht sipas standardeve demokratike vendore dhe ndërkombëtare për integritet elektoral,” ka shkruar Kryeziu në Facebook.
Sipas tij, “kjo ndërhyrje cenon drejtpërdrejt integritetin zgjedhor dhe parimin e barazisë në zgjedhje. Zgjedhjet nuk mund të jenë të lira e të ndershme, nëse shteti përdoret si instrument elektoral.”










