Shkruan: Albanez Tahiraj
Në një shtet demokratik, dorëheqja nuk është akt dobësie, por ajo është forma më e lartë e përgjegjësisë morale dhe politike. Por në realitetin tonë institucional, dorëheqja trajtohet si “mollë e ndaluar”, si një veprim që duhet shmangur me çdo kusht, edhe në rastet kur përballë kemi tragjedi, skandale apo humbje jete. Edhe kur një qytetar humb jetën gjatë arrestimit nga pesë zyrtarë policorë, askush nuk guxon të thotë: “Unë mbaj përgjegjësi”.
Ngjarja e rëndë, ku një qytetar u mbyt gjatë ndërhyrjes së forcave policore, është një tragjedi që nuk duhet të kalojë me fjalë të thata. Por fatkeqësisht, ajo nuk është një rast i izoluar. Vetëm disa ditë më parë, inçizimet e publikuara treguan tre policë të cilët, pasi i kishin vendosur prangat një qytetari, vazhduan ta godasin fizikisht me forcë të tepruar, në një akt që tejkalon çdo kompetencë ligjore dhe etike të një zyrtari të rendit.
Këto dy raste dhe të tjera si këto, nuk janë thjesht devijime individuale, por janë simptoma, të cilat zbulojnë një model të rrezikshëm të mungesës së kulturës së përgjegjësisë, ku pushteti operon pa frikë nga ndëshkimi dhe pa ndjenjë për pasojat.
Në një shtet ku udhëheqësi shtetëror nuk ndjen përgjegjësi për vartësit e vet, nuk kemi të bëjmë me sundim të ligjit, por me një sistem që mbijeton mbi heshtje dhe mosndëshkueshmëri.
A mund të quhet “mbrojtje e rendit” momenti kur një qytetar i prangosur dhunohet publikisht? A është “ndërhyrje standarde” rasti kur një qytetar vdes në duart e atyre që paguhen për ta na mbrojtur?
Mirëpo, ne jemi mësuar ndryshe, sepse jemi mësuar që, në vend të dorëheqjeve, të dëgjojmë deklarata të ftohta, në vend të reflektimit të thellë institucional, shohim shtrëngim duarsh përpara kamerave dhe heshtje të zymtë pas dyerve të mbyllura.
Ndërsa, krejt e kundërta ndodh në shumë vende të botës, ku mjafton një incident, për të nxitur dorëheqje morale. Por te na, as humbja e jetës nuk është e mjaftueshme për të lëkundur karriget. Kjo heshtje e ftohtë, kjo arrogancë e qëndrimit me çdo kusht në pozitë, po e çon qytetarin drejt zhgënjimit të plotë.
Në vendet ku morali politik ka vlerë, dorëheqja nuk është as pranim faji e as akt dobësie, por është akt i lartë përgjegjësie. Është gjesti i fundit që mund të ruajë integritetin e një institucioni, kur gjithçka tjetër ka dështuar. E megjithatë, në kontekstin tonë, ajo shihet si fundi i karrierës, si kapitullim dhe si një lloj dobësie që zbeh autoritetin e pozitës.
Kjo qasje dhe mendësi e sëmurë po e bën shtetin “të pashpirt” dhe qytetarin të padukshëm. Kur një qytetar humb jetën në prani të forcave të rendit, nuk është vetëm polici që duhet hetuar, por duhet të lëkundet i gjithë zinxhiri komandues, jo për hakmarrje, por për drejtësi dhe standard, si dhe për t’i treguar shoqërisë se jeta ka vlerë dhe se pushteti nuk është përjetësi. Sepse, ne kemi nevojë për një kulturë të dorëheqjes, jo si rrugë shpëtimi nga përgjegjësia, por si mënyrë për ta përballuar atë me dinjitet. Prandaj, duhet të arrijmë një pikë, ku zyrtari të ndjejë më shumë turp nga heshtja, se nga dorëheqja, më shumë barrë nga qëndrimi i paepur në pozitë, se nga reflektimi njerëzor.
Mjerisht, trajtimi i dorëheqjes si “mollë e ndaluar” ka krijuar një klasë të paprekshme pushtetarësh, që nuk mbajnë përgjegjësi as për skandalet, as për dështimet dhe as për tragjeditë.
Dorëheqja e drejtuesve në raste të tilla nuk është dorëzim, por është është fisnikëri dhe dëshmi që shteti ende jeton.
Mendoj dhe besoj fuqishëm se nuk ka nder më të madh për një drejtues institucional, sesa të pranojë se ka ardhur momenti të largohet, për hir të jetës, të drejtësisë dhe për hir të shtetit, sepse, nëse jo tani, kur një jetë është shuar dhe marrë tragjikisht, atëherë kur?
Në fund, pavarësisht rasteve të rënda që tronditin opinionin publik, policia si institucion shtetëror mbetet shtyllë themelore e rendit dhe sigurisë në vend.
Është e rëndësishme të bëjmë dallimin mes besimit që duhet të kemi ndaj institucionit dhe kritikës së drejtë ndaj sjelljeve të papranueshme të individëve brenda tij.
Mbështetja për Policinë e Kosovës si organ, nuk duhet të përjashtojë reagimin ndaj shkeljeve që e dëmtojnë kredibilitetin e saj dhe cenojnë të drejtat e qytetarëve. Përkundrazi, mbrojtja e integritetit të saj kërkon që rastet e tilla të trajtohen me transparencë, profesionalizëm, përgjegjësi dhe vendosmëri.
(Autori është drejtor i Drejtorisë për Arsim në komunën e Vushtrrisë).