Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, duke folur për ndryshimet e legjislacionit që janë bërë gjatë mandatit të tij, ka thënë se këto janë përgjigja më e mirë që institucionet tona i kanë dhënë keqpërdoruesve, shkelësve të ligjit, duke iu dhënë mesazh të qartë se vendi ynë nuk do të toleroj veprime të tilla dhe se pasuria e përfituar në mënyrë të jashtëligjshme do të konfiskohet pa përjashtim.
Tahiri mori pjesë në takimin përmbyllës të projektit të binjakëzimit “Fuqizimi i Formulimit te Politikave dhe Hartimit të Legjislacionit’’, i menaxhuar nga Zyra e BE-së në Kosovë (ZBE) dhe i realizuar nga Fondacioni Gjerman për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar (IRZ), ku tha se sistemi i drejtësisë nuk do të lejojë abuzimin me taksat e qytetarëve.
Deklarata e plotë e ministrit Tahiri:Sundimi i ligjit është alternativa e vetme e cila garanton perspektivë të qartë evropiane për Republikën e Kosovës, dhe në këtë drejtim jam angazhuar dhe angazhohem për luftë të pa kompromise të dukurive negative të cilat e rrënojnë këtë të ardhme për qytetarët tanë
Viti 2018 për Ministrinë e Drejtësisë dhe për mua si ministër ka qenë i ngarkuar me agjendën legjislative në të cilën i kam adresuar të gjeturat e Raportit për Vendin në tri vitet e fundit, përfshirë Pakon e Ligjeve të Gjyqësorit, Pakon e Ligjeve që ndërlidhen me luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit siç ka qenë ligji për konfiskim, Ligji për Mbrojtjen e Sinjalizuesve, pakoja e ligjeve që lidhet me të drejtat pronësore dhe ligje të tjera ku kemi marrë një mbështetje të rëndësishme nga këta ekspert të cilët kanë punuar në këtë drejtim dhe në harmonizimin e këtij legjislacioni me atë të Bashkimit Evropian.
Këto ndryshime normative janë përgjigja më e mirë që institucionet tona i kanë dhënë keqpërdoruesve, shkelësve të ligjit, duke iu dhënë mesazh të qartë se vendi ynë nuk do të toleroj veprime të tilla, se pasuria e përfituar në mënyrë të jashtëligjshme do të konfiskohet pa përjashtim.
Megjithatë, sundimi i ligjit akoma vazhdon të mbetet sfidë, dhe kjo sfidë mund të adresohet përmes zbatimit efikas të këtyre ligjeve, të cilat jam përkujdesur që të jenë në pajtim me standardet e Bashkimit Evropian.
Qëllimi i Republikës së Kosovës është që në të ardhmen të jemi pjesë e familjes së madhe evropiane dhe për këtë angazhohemi çdo ditë që në kuadër të sektorit të sundimit të ligjit, ky legjislacion të jetë në koordinim të plotë me legjislacionin e Bashkimit Evropian.
Andaj puna e bërë për dy vite e gjysmë nga projekti “Fuqizimi i formulimit të politikave dhe hartimit të legjislacionit” në fushën e planifikimit strategjik, hartimit të legjislacionit, përafrimit ligjor dhe monitorimin e zbatimit të ligjeve, marrëdhënieve me publikun, si dhe në procesin e rishikimit funksional të sektorit të sundimit të ligjit, është jetike për modernizimin e drejtësisë në Kosovë.