​KQZ miraton fletëvotimin për zgjedhjet e 14 shkurtit

Në mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është vendosur që aplikuesit nga jashtë vendit të cilët kanë plotësuar dokumentet e zotësisë juridike për t’u regjistruar si votues jashtë vendit, por të cilët ende nuk janë telefonuar për verifikim nga KQZ-ja, të përfshihen në listë votuese

Sipas të dhënave të KQZ-së, numri i personave që kanë aplikuar suksesshëm si votues jashtë Kosovës është 102 mijë e 100.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka bëri të ditur se e drejta kushtetuese për të votuar nuk do t’i mohohet askujt, ndërsa falënderoi diasporën për interesimin e jashtëzakonshëm për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës.

“Të gjithë ata të cilët kanë dokumentuar zotësinë juridike të tyre kanë bashkëngjitur dokumentacionet janë përfshirë në listën e përfundimtare të votuesve dhe do ta kenë të drejtën të votojnë që nga momenti kur pas pak qastesh e aprovojmë edhe fletëvotimin. Pra, askujt nuk do t’i mohohet e drejta kushtetuese që të votojë, dhe të gjithë do ta kenë këtë të drejtë”, tha ajo.

Në këtë mbledhje të KQZ-së është miratuar edhe fletëvotimi, si dhe lista e përgjithshme përfundimtare e votuesve për këto zgjedhje që është 1 milion e 794 mijë e 862 ose 143 mijë votues më pak se në zgjedhjet e 6 tetorit të 2019.