Janë përkujtuar të premten në Prishtinë dëshmorët e rënë në betejën e Mejdanit në Melenicë.
Në akademinë përkujtimore kushtuar këtyre dëshmorëve, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se sot ditë e veçantë për gjithë kombin dhe se duke kujtuar dëshmorët e Zonës Operative të Shalës, nderojmë dëshmorët invalidët dhe familjarët dhe më së shumit luftën dhe shtetin e Kosovës.
Ai tha se duke respektuar dhe kujtuar vlerat e luftës së lavdishme të UÇK-së, do jemi në rrugë të sigurt dhe të drejt si shtet.
Kurse kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, tha se liria e Kosovës është e pavdekshme dhe se askush nuk mund ta gjunjëzojë atë.
Kreu i Kuvendit tha se Epopeja e Melenicës është dëshmi e sakrificave të Shalës për liri.
“Ata ranë, por ëndrra e tyre për liri u bë realitet. Liria e Kosovës është pavdekësia e tyre, sepse sa të jetë e lirë kjo tokë, do të jetojë edhe emri i tyre. Dhe kjo tokë përgjithmonë ka me qenë e lirë. Ka me qenë shtet i pavarur e sovran, përderisa t’ nxehë dielli e t’ rrëzon hana, siç do të thoshte Fishta. Nuk do të mund të na ndalë askush. Nuk ka sfidë që mund të na gjunjëzojë”, tha kryeparlamentari Veseli.
Gjatë kësaj akademie përkujtimore presidenti i vendit Hashim Thaçi, nderoi me titullin heroi i Kosovës dëshmorët Ahmet Haxha, Enver Musa, Esat Meholli, Qazim Cimili dhe Shemsi Preteni.